"Beogradi tentoi që incidentin në Kumanovë ta lidh edhe me Luginën" (Video)
Lokale

"Beogradi tentoi që incidentin në Kumanovë ta lidh edhe me Luginën" (Video)

14.May.2015 19:39
0

Deputeti popullor në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, vlerëson se shtypi i Beogradit dhe qeveritarët, incidentin e Kumanovës kanë tentuar që ta lidhin me mundësinë e incidenteve në Luginë të Preshevës.

Gjatë një prononcimit për portalin informativ Titulli.com, Kamberi ka theksuar se kjo lidhje kishte si qëllim krijimin e alibisë së qeverisë për një ndërhyrje të mundshme.

“Për mu ka qenë personalisht shqetësues fakti se mënyra se si shtypi i Beogradit dhe qeveritarët në Beograd e kanë trajtu dhe kanë tentu që këtë incident në Kumanovës ta lidhin me mundësinë e incidenteve edhe në Luginë të Preshevës, që donë të thotë një paraprirje e krijimit të alibisë së qeverisë për ndonjë ndërhyrje të mundshme”, është shprehur deputeti.

Ai shtoi se përvoja “na mëson se sa herë që shtypi i Beogradit ka filluar një fushatë antishqiptare, që zyrtarët e Beogradit kanë dalë me deklarata të mëdha, me akuza kundër të ashtuquajturit “terrorizëm shqiptar”, në terren kemi pas aksione spektakulare policore me arrestime të ndryshme qoftë për krime luftë, qoftë për këtë apo atë vepër, që në fund janë bastardu në atë masë sa që Prokuroria speciale “nuk ka qenë në njohuri se persona të caktuar ishin të amnistuar”.

Për Kamberin është shqetësuese ajo çfarë ndodhi në Kumanovë pasi nuk dihen rrethanat dhe motivet e gjithë kësaj që ka ndodhë, duke thënë se versioni i Qeverisë së Maqedonisë është pak i besueshëm.

Pavarësisht shtimit të njësive speciale të Serbisë në zonat kufitare, deputeti nga Bujanoci thotë se situata po shkon drejt normalizimit, meqë qëndrimi i faktorit ndërkombëtar është i qartë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe se asnjëra palë, maqedonase apo serbe, nuk do të tentojë ta tensionojë edhe më tepër situatën, ashtu të tensionuar.

Nga ana tjetër viktimë e raportimeve të shtypit të Beogradit, gjatë fundjavës ishte ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, njëherit kryetar i Bashkësisë Lokale në fshatin Tërnoc, gjatë konfliktit të armatosur në Luginë të Preshevës.

Beqiri, në shtypin e Beogradit, së bashku me qytetarë tjerë, në mesin e tyre edhe Komandant Lleshi, ishte paraqitur si “terroristë” dhe përgjegjës për incidentin në Maqedoni.

Në deklarimin për portalin Titulli.com, theksoi se fotografia që paraqitet me atë titull është në periudhën e UÇPMB-së, në kohën që mysafirë ishte karateisti nga Maqedonia, Enver Idrizi.

“Për mu dhe familjen, por edhe shqiptarët e Luginës është një kërcënim seriozë, pasi në bazë të këtij shkrimi unë mund të jem edhe i kërcënuar si nga organet shtetërore poashtu edhe nga qytetarët”, thotë Beqiri, duke sqaruar se demant në adresë të mediumit që ka shkruar këtë shkrim (telegraf.rs) nuk ka bërë, pasi siç thotë “praktika ka treguar se ato nuk publikohen fare, ose i jepet kahje tjetër”.

Ai thekson se me shkrime të tilla nuk kontribuohet situatës politike në Luginë të Preshevës dhe se nuk e ka të qartë se kujt i shërben një metodë e shkrimeve të tilla.

“Lufta që është bërë në Luginë të Preshevës është bërë për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, nuk ka qenë luftë terroriste”.

Ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri thotë se lidhur me rastin do t’i njoftojë edhe ambasadën e Kosovës dhe Shqipërisë në Beograd.

Vlen thekuar se gjatë raportimeve të disa mediave në Beograd rreth konfliktit të armatosur në Kumanovë, është shprehur një frymë, që nga qytetarët është vlerësuar si nxitëse e urrejtjes, e cila jo rrallë është ndërlidhur me Luginën e Preshevës, duke shkaktuar panik tek popullata shqiptare në këtë rajon. /Titulli.com/.

VIDEO

Lepaja: Pa hyrë forcat e NATO-s në Kumanovë e Preshevë, s'ka paqe
Bujanoci pa Skënderbe, PPBS kërkon vendosjen e përmendores Karagjorgje Petroviq
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration